Intervistë me mjekun reumatolog Dr. Ervin Rapushi në lidhje me një prej sëmundjeve të hasura shumë shpesh, për të cilën duhet një diagnostikim i hershëm dhe trajtim i veçantë: Spondiliti Ankilozant.

Dr. Ervini zhvillon çdo ditë vizita pranë Poliklinikës LifePlus në Tiranë dhe ofron trajtim të specializuar për Spondilitin Ankilozant dhe një sërë sëmundjesh reumatizmale apo autoimune në bazë të protokolleve më të mira bashkëkohore.

Dr. Ervini, çfarë është Spondiliti Ankilozant?

Spondiliti Ankilozant është një sëmundje inflamatore, e cila prek kolonën vertebrale duke shkaktuar bashkimin (fuzionin) e disa prej vertebrave ose kyçeve duke çuar në dëmtimin e tyre deri në shkatërrim të plotë. Këto dëmtime në shtyllën kurrizore dhe në kyçe, çojnë në deformime të shprehura dhe invalidizuese, të cilat kompromentojnë funksionimin e organeve dhe të sistemeve, si edhe dëmtojnë rëndë cilësinë e jetës. Dëmtimet në shtyllën kurrizore çojnë në deformimin e saj deri në përkulje të trupit në pozicionin nga përpara. Prekja e pjesës së kraharorit bën që të vështirësohet frymëmarrja dhe funksionimi i zemrës.

Cilat janë disa prej simptomave të kësaj sëmundjeje?

Spondiliti Ankilozant prek më tepër meshkujt sesa femrat. Shenjat dhe simptomat zakonisht fillojnë në adoleshencën e vonë ose rreth të njëzetave. Dhimbja fillon me dhimbje të tipit inflamatore në pjesën e fundshpinës, që do të thotë: dhimbje në orët e para të mëngjesit, e cila qetësohet nga lëvizja dhe shtohet nga qëndrimi, si edhe qetësohet nga përdorimi i medikamenteve anti-reumatizmale.

Jo në pak raste, sëmundja mund të fillojë edhe me prekje të pjesës së qafës apo edhe me prekje të kyçeve, kryesisht atyre të mëdha (koksofemoral, genu, talocrural etj). Me kalimin e kohës, Spondiliti Ankilozant mund të prekë edhe sytë, mushkëritë, veshkat, nervat dhe çon deri në dëmtime serioze të tyre.

Zonat që preken më shpesh janë:

  • Artikulacioni midis fundshpinës dhe pelvisit (sakroiliak);
  • Vertebrat lumbare, thorakale, cervikale;
  • Vendet ku tendinet dhe ligamentet fiksohen me kockën (entesis), kryesisht në shtyllën e kurrizit, por ndonjëherë edhe përgjatë pjesës së pasme të thembrës;
  • Kërci ndërmjet dërrasës së kraharorit (sternumit) dhe brinjëve;
  • Artikulacionet e ijeve (koksofemorale) dhe shpatullave.

Çfarë e shkakton këtë sëmundje?

Spondiliti Ankilozant nuk ka një shkak specifik të njohur, megjithëse vihet re një përfshirje e faktorëve gjenetikë. Në veçanti, personat që kanë një gjen të quajtur HLA-B27, kanë një risk shumë më të madh për të zhvilluar këtë sëmundje. Megjithatë, vetëm disa nga personat që mbartin këtë gjen, janë më të predispozuar të zhvillojnë sëmundjen.

Dr. Ervini, cila janë format e diagnostikimit të Spondilitit Ankilozant?

Gjatë ekzaminimit fizik, ne vlerësojmë formën e kolonës vertebrale dhe shohim lëvizshmërinë e pjesëve të ndryshme të saj nëpërmjet testeve të vecanta. Në këtë mënyrë vlerësojmë shkallën e prekjes së saj, njëkohësisht vlerësojmë edhe prekjen e kyçeve nga kjo sëmundje. Nëpërmjet ekzaminimeve, vlerësojmë edhe prekjet e organeve apo sistemeve të ndryshme, si edhe formulojmë një plan ndjekjeje me konsulta dhe me specialitete të tjera për të vlerësuar këto prekje.

A) TESTET IMAZHERIKE – Radiografitë e bacinit, të artikulacioneve dhe shtyllës kurrizore na lejojnë të kontrollojmë për ndryshime në kyçet dhe kockat e pacientit, edhe pse në fillim të sëmundjes mund të mos ketë shenja të dukshme të Spondilitit Ankilozant. Rezonanca Magnetike (MRI) mbetet standardi i artë për të vlerësuar që në stadet e hershme prekjen e kolonës apo të artikulacioneve edhe atëherë kur radiografitë konvencionale rezultojnë normale. MRI është një ekzaminim që nuk përdor rreze dëmtuese, si edhe paraqet një kosto të përballueshme.

B) TESTET LABORATORIKE – Nuk ka teste laboratorike specifike për të identifikuar Spondilitin Ankilozant. Disa teste gjaku mund të kontrollojnë për shënues të inflamacionit si tregues i aktivitetit të semundjes (PCR, Fibrinogjeni, eritrosendimetacioni), por ato mund të kompromentohen edhe nga shumë probleme të ndryshme shëndetësore. Gjaku mund të testohet për gjenin HLA-B27, por në 25% te rasteve, Spondiliti Ankilozant mund të ekzistojë edhe kur ky gjen rezulton negativ. Gjithesesi, prania e tij e përforcon diagnozën.

Për sa i përket formave të trajtimit, cilat janë ato?

Qëllimi i trajtimit është lehtësimi i dhimbjeve dhe ngurtësimit, si edhe të parandalojë ose të vonojë ndërlikimet dhe deformimet. Trajtimi i Spondilitit Ankilozant është më i suksesshëm para se sëmundja të shkaktojë dëme të pakthyeshme.

MEDIKAMENTET

Anti-inflamatorët josteroidë (AIJS) – si naproxen, indometacin, piroxicam, ketoprofen – janë medikamente që ne përdorim zakonisht për trajtimin e Spondilitit Ankilozant. Ato mund të lehtësojnë inflamacionin, dhimbjen dhe ngurtësimin e pacientit. Ata mund të kombinohen shumë mirë në varësi të prekjeve edhe me glukokotikoidet (kortizoniket), analgjeziket dhe preparatet miorelaksante. Për format me prekje të kolonës, preferohet kombinimi i këtyre preparateve me salazopirinën. Ndërsa në format me prekje të kyçeve, preferohet kombinimi i këtyre preparateve me methotrexatin.

Në rastin kur këto preparate dështojnë në kontrollin e kësaj semundjeje, sugjerohet edhe kombinimi i tyre me preparate biologjike si: bllokuesit të faktorit të nekrozës tumorale (TNF) (Adalimumab – Humira, Infiximab – Remicade, Etanercept – Enbrel, Certolizumab pegol – Cimzia, Golimumab – Simponi) ose frenues të interleukinës 17 (IL-17) (Secukinumab – Cosentyx). Këto preparate kanë bërë të mundur të kontrollojnë aktivitetin e sëmundjes. Duke parandaluar dëmtimet kockore dhe prekjet ekstra skeletike, ato mund të përdoren të kombinuara me preparate të tjera apo edhe të vetme kur pacienti nuk i toleron dot.

Fizioterapia dhe programet e ushtrimeve janë një tjetër mënyrë trajtimi shumë e rëndësishme për këta të sëmurë. Duke qenë se Spondiliti Ankilozant është një sëmundje me aktivitet inflamator dhe këta pacientë janë të prirur për të zhvilluar osteoporozë me shumë se grupi tjetër i popullatës, rekomandohet që të jenë edhe nën trajtim me preparate të kalciumit, vitaminës D, si edhe preparateve të tjera anti-osteoporotike.

Po ndërhyrja kirurgjikale, a është e nevojshme?

Shumica e njerëzve me Spondilit Ankilozant nuk kanë nevojë për kirurgji. Megjithatë, ne mund të rekomandojmë ndërhyrjen kirurgjikale nëse pacienti paraqet dëmtim të kyçeve dhe bëhet invalidizues për shkak të këtij dëmtimi.

One Reply to “Dr. Ervin Rapushi: “Spondiliti Ankilozant, çfarë është ai dhe si trajtohet?””

  1. Luan Gashi 2 years ago

    E vertetë , ne bazë të dhimbjeve e shoh veten me ketë diagnoz,
    Respekt për Dr. Rapushin

    Ju pershendes L. Gashi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

This field is required.

This field is required.