Poliklinika LifePlus, një qendër mjekësore cilësore në shërbim të jetës  

Poliklinika LifePlus është qendra më e re e kujdesit shëndetësor në Tiranë, e cila ka hyrë në treg me misionin të ofrojë një shërbim mjekësor gjithëpërfshirës, me cilësi të lartë për të gjithë.

E vendosur në Bllokun Gintash, Laprakë, Poliklinika LifePlus ofron shërbimet e saj të mbështetura në dedikimin e një stafi mjekësor me përvojë dhe në teknologjinë më të përparuar të aparaturave mjekësore. LifePlus synon të ofrojë kujdes empatik ndaj secilit pacient që hyn në klinikë dhe të mundësojë çmime të përballueshme për shërbime të specializuara mjekësore.

Sfida e stafit të klinikës LifePlus është përmbushja e çdo nevojë dhe pritshmërie mjekësore të pacientëve të saj, me standardet më të larta, duke krijuar një qendër të rëndësishme në Tiranë për shërbime që fillojnë që me edukimin mjekësor, kujdesin parandalues, diagnostikimin, trajtimin dhe rehabilitimin e shumë sëmundjeve.

Mjekët janë aseti më i rëndësishëm dhe garancia më e madhe në LifePlus. Me specialistët më të mirë, të huaj dhe shqiptarë, specialitetet e trajtuara në këtë poliklinikë janë të fushave të ndryshme.

Në poliklinikë ofrojnë shërbimin shëndetësor emra të njohur në mjekësi, si Prof. Dr. Sc. Mladen Miškulin, specialist në fushën e kirurgjisë artroskopike. Mjeku infeksionist Prof. Dr. Arjan Harxhi, një ndër emrat e mirënjohur për trajtimin e hepatiteve virale dhe infeksioneve të ndryshme, është pjesë e stafit mjekësor në LifePlus. Doktor Ervin Rapushi, mjeku reumatolog më i kualifikuar në Shqipëri, i cili merret me diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve që lidhen me sistemin muskulo–skeletik, gjendet çdo ditë pranë klinikës.  Prof. Dr. Sc Saša Janković, mjek ortoped, Shef i Departamentit të Ortopedisë në Klinikën Sveti Duch në Zagreb dhe ortoped i skuadrës kroate të futbollit, vjen rregullisht të takojë pacientët e tij në LifePlus.

Dr. Indin Xhemali dhe Dr. Blendi Toska ofrojnë çdo ditë konsulta dhe përkujdesje për pacientët, një herë në javë edhe falas.

Shërbimet përfshijnë konsulta, shërbime ambulatore, kryerje të rezonancave magnetike MRI, analiza laboratorike, ekzaminime të shumëllojshme. Në LifePlus ofrohen specialitete të ndryshme që nga ortopedia, reumatologjia, neurologjia, endokrinologjia, e deri te mjekësia infektive.

Me një rol jetik në diagnozën mjekësore nëpërmjet njjë teknologjie moderne, mund të kryhen lloje të ndryshme radiografish, imazheri. Pacientët mund të kryejnë gjithashtu të gjitha llojet e ekografisë, kontrollet gjinekologjike, apo fizioterapi.

Filozofia e LifePlus lidhet me përkushtimin për t’i shërbyer jetës dhe për ta përmirësuar dhe zgjatur atë, duke vënë në funksion të saj kapacitetet më të mira profesionale, teknologjinë më të avancuar dhe gjithë dashurinë për njerëzit.

Çfarë është terapia “ACP-PRP” dhe si realizohet pranë klinikës Lifeplus?

Terapia “ACP-PRP” pranë Poliklinikës LifePLus në Tiranë vjen në nivelet më të larta falë përvojës mbi 30 vjeçare të gjigandit ndërkombëtar, Arthrex. Kjo kompani – me mbi 3000 punonjës në mbarë botën në fushën e kërkimit, zhvillimit dhe shitjes – ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol kyç në zhvillimin e trajtimeve të reja për sëmundjet e ndryshme artikulare. Në ditët e sotme, Arthrex njihet si kompania lider në fushën e kirurgjisë ortopedike rikonstruktive.

Shërimi i indeve të dëmtuara apo të inflamuara përfshin një sërë procesesh natyrore komplekse dhe të përshtatura me përpikmëri nga organizmi. Trombocitet (pllakëzat e gjakut) luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces. Në vendin e dëmtimit ato çlirojnë faktorë rritjeje, që i japin fillesë restaurimit të indit të dëmtuar dhe frenojnë proceset inflamatore të dhimbshme. Pikërisht mbi këto pro­cese bazohet edhe i gjithë mekanizmi i Terapisë “ACP-PRP” (Autologous Conditioned Plasma – Platelet Rich Plasma). Nëpërmjet përqendrimit të lartë të faktorëve të rritjes, kjo terapi mbështet fuqishëm dhe brenda një kohe shumë të shpejtë proceset vetëshëruese të trupit të njeriut.

KUR PËRDORET TERAPIA “ACP-PRP”?

  • NË RASTET E DËMTIMEVE SPORTIVE – Nëse aktualisht jeni në një proces rehabilitimi ose jeni duke u trajtuar për një dëmtim sportiv, falë kësaj terapie, ju mund të mbështesni proceset vetëshëruese të trupit tuaj. ACP mund të mbështesë procesin e shërimit në shumicën e dëmtimeve të sistemit lokomotor, duke përfshirë ligamentet dhe tendinet, si edhe në dëmtimet muskulare dhe tendinitin;
  • NË TRAJTIMIN E OSTEOARTRITIT – Shpesh aktiviteti fizik kufizohet nga osteoartriti. Simptomat tipike në fazat e hershme të osteoartritit përfshijnë dhimbjen artikulare dhe ngurtësimin e mëngjesit. Një tjetër simptomë tipike është dhimbja që pason ecjet e shkurtra pas periudhave të gjata të mungesës së aktivitetit. Këto simptoma shkaktohen nga degjenerimi i kërcit artikular. Terapia “ACP-PRP” ka rezultuar të jetë shumë efikase për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga simptomat e osteoartritit të lehtë ose të moderuar (Grada I-III) dhe të dhimbshëm;
  • NË FAZËN POST-OPERATORE TË PACIENTIT – përdorimi i kësaj terapie në fazën post-operatore, falë faktorëve të rritjes dhe proceseve vetë-shëruese, i krijon kushte të arta pacientit për të patur një rekuperim shumë më të shpejtë.

SI REALIZOHET PROCEDURA E TERAPISË?

  • Gjaku i pacientit merret nga një venë e krahut;
  • Një procedurë centrifuguese dhe ndarjeje, nxjerr dhe përqendron substancat e dëshiruara të trupit (ACP – Plazma Autologe e Përpunuar);
  • Më pas, substancat e dëshiruara injektohen në zonën e prekur.

AVANTAZHET PËR PACIENTIN:

  • Është procedurë ambulatore;
  • Proces shumë i shpejtë (më pak se 30 minuta);
  • Substanca aktive ka origjinë nga vetë trupi i pacientit. Për këtë arsye, pranohet shumë mirë dhe jep rezultat të dukshëm brenda një kohe të shkurtër.

Mjeku reumatolog Dr. Ervin Rapushi: “Si të ushqeheni nëse jeni me gutë?”

Sot, termi “Gutë” përdoret për të përfaqësuar një grup të përbërë sëmundjesh, të cilat takohen në mënyrë ekskluzive tek njerëzit dhe përfshijnë:

  • hiperuricemi (rritje e vlerave të acidit urik në serum);
  • atake të përsëritura të artriteve, të induktuara nga kristalet e acidit urik;
  • prezencë e grumbullimit të kripërave të acidit urik përreth kyçeve;
  • dëmtim i veshkave & gurë në veshka nga acidi urik.

“Ajo është rezultat i mbiprodhimit apo defekt në eliminimin e acidit urik nga veshka”, shpjegon Dr. Ervini, i cili zhvillon vizita çdo ditë pranë Poliklinikës LifePLus në Tiranë dhe ofron trajtim të specializuar për sëmundjet reumatizmale dhe autoimune në bazë të protokolleve më bashkëkohore ndërkombëtare. Guta është pjesë përbërëse e një grupi të madh sëmundjesh që përfshijnë: diabetin, hipertensionin, obezitetin dhe dislipideminë. “Guta fillon me një dhimbje të fortë dhe të menjëhershme (zakonisht tek kyçet e këmbës), por mund të prekë edhe kyçe të tjera dhe shoqërohet me: enjtje, dhimbje në prekje, nxehtësi lokale dhe skuqje. Pacienti mund të referojë për atake të ngjashme të kaluara më parë”, shpjegon Dr. Ervini.

Prezenca e kristaleve të acidit urik në likidin artikular apo prezenca e tofeve vërteton plotësisht diagnozën. Menaxhimi i trajtimit të gutës mund të ketë 2 forma: medikamentoz dhe jomedikamentoz. Dr. Ervini thekson se edukimi i pacientëve nëpërmjet dietës dhe modifikimit të stilit të jetesës është po aq i rëndësishëm sa edhe trajtimi medikamentoz. “Në disa situata të veçanta, trajtimi medikamentoz merr një vlerë të veçantë”, shpjegon ai.

Më poshtë po listojmë disa lloje dietash në rastet kur ne vuajmë nga guta (podagral):

DIETA NË HIPERURICEMI/GUTË

Një dietë e shëndetshme është në gjendje të parandalojë dhe të shmangë ataket gutoze. “Duke shmangur apo pakësuar marrjen e ushqimeve të cilat përmbajnë sasi të mëdha purinash, mundësohet ulja e niveleve serike të urateve dhe parandalon ataket gutoze”, nënvizon Dr. Ervini. Purinat janë substanca natyrale që gjenden tek të gjitha qelizat e trupit dhe tek të gjitha ushqimet. “Ato janë pjesë e strukturave kimike të gjeneve tona, si edhe të gjeneve bimore dhe ato shtazore”, shpjegon ai. Disa ushqime përmbajnë përqendrime të larta të purinave dhe zakonisht janë këto ushqime që kanë shumë proteina.

DIETA GJATË NJË ATAKU GUTOZ

  • Pini 2-3 litra lëngje në ditë, ku gjysma duhet të jetë ujë;
  • Ndërprisni përdorimin e alkolit. Nëse marrja e tij është e domosdoshme, përdorni verë të kuqe (afërsisht 200 cc/ditë);
  • Përdorni ushqime që kanë sasi të pakët (ose të moderuar) purinash;
  • Përdorni sasi të moderuar proteinash ku rekomandohet: tof, produkte të qumështit, vezë, gjalpë kikiriku etj.;
  • Përdorni ushqime me përmbajtje të lartë karbohidratesh: bukë, drithëra, oriz, perime dhe fruta;
  • Limitoni yndyrnat dhe përdorni mishin e peshkut, shpendëve etj.;

DIETA NË GUTËN KRONIKE

  • Pini 2-3 litra lëngje në ditë, ku gjysma duhet të jetë ujë;
  • Vazhdoni të mos përdorni alkolin ose limitojeni atë. Rekomandohet vera e kuqe (200 cc/ditë);
  • Përdorni ushqimet me sasi të moderuar dhe të pakët të purinave. Evitoni ushqimet me sasi të lartë purinash;
  • Mbani një peshë trupore konstante dhe të mirë. Mos shtoni në peshë sepse mbipesha shton prodhimin e acidit urik. Nëse është e nevojshme të bini në peshë, duhet të bini me 0.5-1 kg/javë;
  • Mos përdorni me sasi të mëdha proteinash, pasi këto dieta përkeqësojnë gutën;

MODELI I NJË DIETE GUTOZE

  • Mëngjesi: portokall, pjeshkë, mollë, mango, fik, bukë gruri, dhallë;
  • Dreka: selino, panxhar, thjerëz, rrepë, lakër, domate, karrotë, kungull, patate, bukë gruri, dhallë, djathë shtëpie;
  • Darka: fasule, lakër, domate, karrotë, bukë gruri, dhallë.

Dr. Ervin Rapushi: “Spondiliti Ankilozant, çfarë është ai dhe si trajtohet?”

Intervistë me mjekun reumatolog Dr. Ervin Rapushi në lidhje me një prej sëmundjeve të hasura shumë shpesh, për të cilën duhet një diagnostikim i hershëm dhe trajtim i veçantë: Spondiliti Ankilozant.

Dr. Ervini zhvillon çdo ditë vizita pranë Poliklinikës LifePlus në Tiranë dhe ofron trajtim të specializuar për Spondilitin Ankilozant dhe një sërë sëmundjesh reumatizmale apo autoimune në bazë të protokolleve më të mira bashkëkohore.

Dr. Ervini, çfarë është Spondiliti Ankilozant?

Spondiliti Ankilozant është një sëmundje inflamatore, e cila prek kolonën vertebrale duke shkaktuar bashkimin (fuzionin) e disa prej vertebrave ose kyçeve duke çuar në dëmtimin e tyre deri në shkatërrim të plotë. Këto dëmtime në shtyllën kurrizore dhe në kyçe, çojnë në deformime të shprehura dhe invalidizuese, të cilat kompromentojnë funksionimin e organeve dhe të sistemeve, si edhe dëmtojnë rëndë cilësinë e jetës. Dëmtimet në shtyllën kurrizore çojnë në deformimin e saj deri në përkulje të trupit në pozicionin nga përpara. Prekja e pjesës së kraharorit bën që të vështirësohet frymëmarrja dhe funksionimi i zemrës.

Cilat janë disa prej simptomave të kësaj sëmundjeje?

Spondiliti Ankilozant prek më tepër meshkujt sesa femrat. Shenjat dhe simptomat zakonisht fillojnë në adoleshencën e vonë ose rreth të njëzetave. Dhimbja fillon me dhimbje të tipit inflamatore në pjesën e fundshpinës, që do të thotë: dhimbje në orët e para të mëngjesit, e cila qetësohet nga lëvizja dhe shtohet nga qëndrimi, si edhe qetësohet nga përdorimi i medikamenteve anti-reumatizmale.

Jo në pak raste, sëmundja mund të fillojë edhe me prekje të pjesës së qafës apo edhe me prekje të kyçeve, kryesisht atyre të mëdha (koksofemoral, genu, talocrural etj). Me kalimin e kohës, Spondiliti Ankilozant mund të prekë edhe sytë, mushkëritë, veshkat, nervat dhe çon deri në dëmtime serioze të tyre.

Zonat që preken më shpesh janë:

  • Artikulacioni midis fundshpinës dhe pelvisit (sakroiliak);
  • Vertebrat lumbare, thorakale, cervikale;
  • Vendet ku tendinet dhe ligamentet fiksohen me kockën (entesis), kryesisht në shtyllën e kurrizit, por ndonjëherë edhe përgjatë pjesës së pasme të thembrës;
  • Kërci ndërmjet dërrasës së kraharorit (sternumit) dhe brinjëve;
  • Artikulacionet e ijeve (koksofemorale) dhe shpatullave.

Çfarë e shkakton këtë sëmundje?

Spondiliti Ankilozant nuk ka një shkak specifik të njohur, megjithëse vihet re një përfshirje e faktorëve gjenetikë. Në veçanti, personat që kanë një gjen të quajtur HLA-B27, kanë një risk shumë më të madh për të zhvilluar këtë sëmundje. Megjithatë, vetëm disa nga personat që mbartin këtë gjen, janë më të predispozuar të zhvillojnë sëmundjen.

Dr. Ervini, cila janë format e diagnostikimit të Spondilitit Ankilozant?

Gjatë ekzaminimit fizik, ne vlerësojmë formën e kolonës vertebrale dhe shohim lëvizshmërinë e pjesëve të ndryshme të saj nëpërmjet testeve të vecanta. Në këtë mënyrë vlerësojmë shkallën e prekjes së saj, njëkohësisht vlerësojmë edhe prekjen e kyçeve nga kjo sëmundje. Nëpërmjet ekzaminimeve, vlerësojmë edhe prekjet e organeve apo sistemeve të ndryshme, si edhe formulojmë një plan ndjekjeje me konsulta dhe me specialitete të tjera për të vlerësuar këto prekje.

A) TESTET IMAZHERIKE – Radiografitë e bacinit, të artikulacioneve dhe shtyllës kurrizore na lejojnë të kontrollojmë për ndryshime në kyçet dhe kockat e pacientit, edhe pse në fillim të sëmundjes mund të mos ketë shenja të dukshme të Spondilitit Ankilozant. Rezonanca Magnetike (MRI) mbetet standardi i artë për të vlerësuar që në stadet e hershme prekjen e kolonës apo të artikulacioneve edhe atëherë kur radiografitë konvencionale rezultojnë normale. MRI është një ekzaminim që nuk përdor rreze dëmtuese, si edhe paraqet një kosto të përballueshme.

B) TESTET LABORATORIKE – Nuk ka teste laboratorike specifike për të identifikuar Spondilitin Ankilozant. Disa teste gjaku mund të kontrollojnë për shënues të inflamacionit si tregues i aktivitetit të semundjes (PCR, Fibrinogjeni, eritrosendimetacioni), por ato mund të kompromentohen edhe nga shumë probleme të ndryshme shëndetësore. Gjaku mund të testohet për gjenin HLA-B27, por në 25% te rasteve, Spondiliti Ankilozant mund të ekzistojë edhe kur ky gjen rezulton negativ. Gjithesesi, prania e tij e përforcon diagnozën.

Për sa i përket formave të trajtimit, cilat janë ato?

Qëllimi i trajtimit është lehtësimi i dhimbjeve dhe ngurtësimit, si edhe të parandalojë ose të vonojë ndërlikimet dhe deformimet. Trajtimi i Spondilitit Ankilozant është më i suksesshëm para se sëmundja të shkaktojë dëme të pakthyeshme.

MEDIKAMENTET

Anti-inflamatorët josteroidë (AIJS) – si naproxen, indometacin, piroxicam, ketoprofen – janë medikamente që ne përdorim zakonisht për trajtimin e Spondilitit Ankilozant. Ato mund të lehtësojnë inflamacionin, dhimbjen dhe ngurtësimin e pacientit. Ata mund të kombinohen shumë mirë në varësi të prekjeve edhe me glukokotikoidet (kortizoniket), analgjeziket dhe preparatet miorelaksante. Për format me prekje të kolonës, preferohet kombinimi i këtyre preparateve me salazopirinën. Ndërsa në format me prekje të kyçeve, preferohet kombinimi i këtyre preparateve me methotrexatin.

Në rastin kur këto preparate dështojnë në kontrollin e kësaj semundjeje, sugjerohet edhe kombinimi i tyre me preparate biologjike si: bllokuesit të faktorit të nekrozës tumorale (TNF) (Adalimumab – Humira, Infiximab – Remicade, Etanercept – Enbrel, Certolizumab pegol – Cimzia, Golimumab – Simponi) ose frenues të interleukinës 17 (IL-17) (Secukinumab – Cosentyx). Këto preparate kanë bërë të mundur të kontrollojnë aktivitetin e sëmundjes. Duke parandaluar dëmtimet kockore dhe prekjet ekstra skeletike, ato mund të përdoren të kombinuara me preparate të tjera apo edhe të vetme kur pacienti nuk i toleron dot.

Fizioterapia dhe programet e ushtrimeve janë një tjetër mënyrë trajtimi shumë e rëndësishme për këta të sëmurë. Duke qenë se Spondiliti Ankilozant është një sëmundje me aktivitet inflamator dhe këta pacientë janë të prirur për të zhvilluar osteoporozë me shumë se grupi tjetër i popullatës, rekomandohet që të jenë edhe nën trajtim me preparate të kalciumit, vitaminës D, si edhe preparateve të tjera anti-osteoporotike.

Po ndërhyrja kirurgjikale, a është e nevojshme?

Shumica e njerëzve me Spondilit Ankilozant nuk kanë nevojë për kirurgji. Megjithatë, ne mund të rekomandojmë ndërhyrjen kirurgjikale nëse pacienti paraqet dëmtim të kyçeve dhe bëhet invalidizues për shkak të këtij dëmtimi.